Më 30 qershor 2020 u realizua një takim me drejtuesit e pesë bashkësive fetare të përmendura në Kushtetutë.
Më 30 qershor 2020 u realizua një takim me drejtuesit e pesë bashkësive fetare të përmendura në Kushtetutë. Me ftesë të Drejtorit të Komisionit për Marrëdhënie me Bashkësitë Fetare dhe Grupet Religjioze (KMBFGR), mr. Darijan Sotirovski, në takim morën pjesë Kryetari i KOM-OA, Kryepeshkopi i Ohrit dhe Maqedonisë, z.z. Stefan, u.d. Reisul Ulema i BFI h. Hfz. Shaqir ef. Fetahu, Peshkopi i Kishës Katolike Imzot z. Kiro Stojanov, mbikëqyrësi i KEM, z. Marjan Dimov, ndërsa për shkaqe të arsyeshme mungoi kryetarja e komunitetit hebre, zonja Berta Romano Nikoliç.
Në këtë takim u prezantua kreu i sapozgjedhur i BFI, dhe pjesëmarrësit, duke u njohur me sfidat në vazhdim, e përgëzuan për zgjedhjen e tij, duke i uruar punë të suksesshme në menaxhimin e përgjegjshëm në komunitetin e tij, duke theksuar rëndësinë e hapjes së mundësisë për të vazhduar bashkëpunimin në këtë format.
Në këtë kontekst, në takim u theksua rëndësia e kultivimit të vazhdueshëm të kulturës së tolerancës, ndjenjave të larta shpirtërore, respektit dhe etikës në marrëdhëniet midis konfesioneve dhe në marrëdhëniet publike të të gjitha subjekteve fetare.
Duke pasur parasysh seriozitetin e kërcënimit pandemik të shkaktuar nga koronavirusi, i cili po shfaqet gjithnjë e më shumë si një problem global afatgjatë, udhëheqësit fetarë ndanë mendimet e tyre për sfidat që na presin të gjithëve në të ardhmen, por edhe për atë që mund të ishte bërë ndryshe në të kaluarën ose më saktë, si një kontribut konkret në trajtimin e këtij problemi të përgjithshëm.
Pas një diskutimi të gjallë, udhëheqësit fetarë i përcollën një thirrje unanime të gjithë qytetarëve për një qasje të përgjegjshme ndaj vetes dhe të dashurve të tyre, dhe të kuptojnë rrezikun e virusit si një kërcënim real dhe serioz për jetën dhe shëndetin. Puna e palodhshme e mjekëve dhe stafit mjekësor në trajtimin e kësaj gjendje është e denjë për respekt dhe lavdërim, dhe shprehja më e përshtatshme e mirënjohjes për punën e tyre duhet të tregohet në praktikë, duke respektuar masat e vendosura nga institucionet kompetente.
Për shkak se jemi në një periudhë parazgjedhore, udhëheqësit fetarë shfrytëzojnë mundësinë për apel për zgjedhje të qeta, të lira dhe demokratike në interes të së ardhmes së vendit.